Pas reagimeve të shumta që u shkaktuan rreth një javë më parë kur u bë e ditur se Festivali ‘Sunny Hill’ do të zhvendoset në Tiranë, të hënën u njoftua se ky festival do të kthehet në Prishtinë për t’u mbajtur në fillim të muajit gusht.
Lidhur me rikthimin e festivalit në Prishtinë, ka reaguar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa e cila përmes një postimi në rrjetin social “Instagram” ka shkruar:
“Me zemër të plotë dhe të lumtur jam krenare të them se është vendosur që festivali ynë – Sunny Hill të vazhdoj në bazën e tij më 4,5,6 dhe 7 gusht në Prishtinë, Kosovë dhe tani do të organizojmë edhe në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht. Mezi pres t’iu shoh të gjithëve atje! Lista e plotë do të zbulohet së shpejti… Me dashuri, Dua”.
Në një deklaratë të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinë u tha se Festivali do të organizohet në një lokacion të përshtatshëm.
Por çështja që u bë problematike, toka që iu dha festivalit nga komuna e Prishtinës, thuhet se do të diskutohet më vonë.
“Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme” thuhet në njoftim.