Nuredin Lushtaku, bashkë me disa familjarë dyshohet se janë të përfshirë në plagosjen e dy policëve në Skenderaj, të shtunën pas mesnate.
Ndaj tij, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se sulmi ndaj policisë është i papranueshëm.
“Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Me e sulmu policinë e Kosovës duhet të jetë e papranueshme në çdo rrethanë”, shkruan Çitaku.
Më tej ajo tha se askush nuk është mbi ligjin duke u bërë thirrje organeve të rendit që të reagojnë.
“Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit. Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë”, u shpreh nënkryetarja e PDK-së.
Lidhur me këtë, Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.
Policia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.