Kryesia e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës ka paralajmëruar një marsh kundër formimit të Asociacionit, me 15 shkurt, raporton Ekonomia Online.
Marshi me moton “Bashkë kundër Asociacionit”, do të nisë nga ora 16:00 para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Në një konferencë për medie, drejtuesit e Parlamentit Studentor, thanë se Asociacioni “ndikon në avancimin e Serbisë në Kosovë” dhe “krijon destabilitet në vend”.
Alba Lala, nënkryetare e Parlamentit Studentor, tha se në ditën kur edhe festojnë 53-vjetorin e themelimit të UP-së do të marshojnë kundër Asociacionit i cili, sipas saj, nuk avancon të drejtat e serbëve, por instrumentalizon serbët në Kosovë.
“24 vite pas luftës së fundit dhe 15 vite pas shpalljes së pavarësisë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës vazhdojnë të mbesin cak i Serbisë, kjo e fundit ende nuk i ka shuar aspiratat për territorin tonë. Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale vazhdon të ketë të tashme kriminale duke ndërtuar strategji për një të ardhme kriminale”, theksoi Lala.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpie në luftë”.
“Se asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë është më së e qartë. Ky asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve por instrumentizon serbët në Kosovë dhe ndikon në avancimin e Serbisë në Kosovë si rrjedhojë e së cilës pashmangshëm krijohet de-stabilitet”, u shpreh ajo.
Ndërsa, nënkryetari i Parlamentit Studentor, Bleron Beka, bëri thirrje që qytetarët t’i bashkëngjiten marshit.
“Bëjmë thirrje për përfaqësuesit vendorë dhe ndërkombëtarë që funksionojnë në Republikën e Kosovës që të parandalojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe që ndërtohet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.
“Me bindjen e plotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të krijohet për më shumë të drejta për komunitetin serb ne Kosovë, por për të shtuar ndikimin e Serbisë në shtetin tonë dhe rrjedhimisht të kontribuojë në de-stabilitetin e vendit, bëjmë thirrje që qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në marshin e 15 shkurtit.”
“Kosova multietnike është kriter thelbësor për zhvillim të mëtutjeshëm, zhvillim ky që minohet nga një Asociacion një etnik”, theksoi Beka.