Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar takim publik me institucione, organizata dhe grupe të ndryshme interesi, me qëllim të diskutimit dhe marrjes së komenteve lidhur me Draft Strategjinë për Arsim 2022-2026, raporton Ekonomia Online.
Në këtë takim, kryesuesi i ekipit hartues nga MASHTI, Haki Sfishta, tha se buxheti për këtë strategji arrin koston totale 322. 8 milion euro, në të cilat 6 milionë janë të aprovuara për dixhitalizim.
“Buxheti për strategjinë e arsimit arrin koston totale 322. 8 milion euro. Nga donatorët janë 33.5 milion euro. Në buxhetin e vitit 2023 është aprovua edhe një buxhet prej 6 milion eurove për dixhitalizim”.
Tutje, Sfishta tha se gjatë këtij muaji pritet të finalizohet strategjia, e cila ka pesë objektiva strategjike.
“Faza e përgatitjes së dokumentit ka filluar në gusht. Janë shqyrtuar të gjitha të gjeturat dhe më vonë është përcaktuar vizioni në grupe punuese. Do ta shohim koston e strategjisë dhe presim që gjatë këtij muaji të finalizohet strategjia”.
“Në kuadër të strategjisë 2022-2026 do të jenë 5 objektiva strategjike: rritja e përfshirjes për edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimi para universitar, aftësimi profesional, arsimi i lartë dhe digjitalizimi i arsimit. Synojmë të arrijmë rritjen e numrit të arsimit parashkollor dhe ngritjen e çerdheve”, u shpreh ai, raporton EO.
Ndërsa, zëvendësministri i MAShTI-t, Dukagjin Pupovci, tha se draft strategjia është në linjë me dokumentet ndërkombëtare dhe se mbështetet në legjislacionin ekzistues.
“Ky dokument paraqet ciklin e ri në arsim. Strategjia e arsimit 2022-2026 është vazhdimësi e planeve dhe është në linjë me dokumente ndërkombëtare. Strategjia mbështetet në legjislacionin ekzistues. Edhe ky dokument është rezultat i një procesi të gjerë duke filluar nga stafi i ministrisë deri te mësimdhënësit”.
Tutje, Pupovci falënderoi agjencinë gjermane GIZ, për fondet e ndara dhe kontributin e dhënë.
“Ky proces është mbështetur nga fonde të Gjermanisë nga GIZ. Në emër të ministrisë falënderoj ekspertët që kanë kontribuar në këtë dokument. Sot do të kemi rastin të bisedojmë për përmbajtjen e dokumentit”.
Lirie Lokaj, nga GIZ-i gjerman, tha se Qeveria gjermane është e fokusuar në punësimin e të rinjve dhe orientimin e tyre në tregun e punës.
“Ky takim do të shërbejë për marrjen e komenteve finale për strategjinë 2022-2026. Qeveria gjermane është e fokusuar në punësimin e të rinjve dhe orientim në tregun e punës. Falënderoj udhëheqësit nga MAShTI”.
“Sot kemi një version final të strategjisë dhe uroj të përfitojmë të gjithë nga ky takim duke dhënë kontribut. Ne si GIZ do të qëndrojmë të përkushtuar duke kontribuar në zbatimin e kësaj strategjie”, u shpreh ajo.