Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seancë gjyqësore për rastin e Bedri Rexhepit, biznesmenit që u zhduk në prill të vitit të kaluar e në fund të shtatorit eshtrat e tij u gjetën në Novobërdë.
Të akuzuar për këtë vrasje janë Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, derisa motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.
“Sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material për shumën 30 mijë euro. Të akuzuarit kanë besuar që Bedri Rexhepi tashmë i ndjerë, i posedonte për të cilin më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, ka deklaruar Hamiti më 18 tetor.
Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Më pas policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij, ndërkaq më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.
Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.
“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.
Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.
“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, kishte deklaruar ai.
Biznesmeni nga Lipjani u varros më 20 tetor.