Sot, në Dhomat e Specializuara, do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Konferenca do të fillojë nga ora 13:30.
“Prokurori K. Thaçit dhe të tjerëve – konferencë për ecurinë e çështjes 13:30”, është shkruar në kalendarin zyrtar të Gjykatës.
Në bazë të vendimit të gjyqtarit paraprak mbi caktimin e kësaj konference, thuhet se në të do të diskutohet për nxjerrjen e provave, përkthimet, hetimet e mbrojtjes dhe hapat e mëtutjeshëm dhe çështje të tjera.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.