Më 5 dhe 6 nëntor në Palestrën e Sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë do të zhvillohet turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”. Ky turne, që është shndërruar në traditë, është i 24-ti me radhë dhe përveç Kosovës aty marrin pjesë edhe shtete të tjera nga rajoni dhe më gjerë.
Gjysmëfinalja mbahet sot ( e shtunë) në ora 16:00, ndërsa finalja të dielën në ora 12:00.
Kryetari i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi, deklaroi për KosovaPress, se janë bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e këtij turneu, por shprehet i shqetësuar me mungesën e mbështetjes financiare nga ana e shtetit.
“Ky është nën patronatin e kryeministrit, mbështetjet kanë qenë gjithmonë me vonesë. Kësaj radhe as që na është lajmëruar dikush edhe pse kërkesat kanë shkuar të gjitha me kohë, edhe te ministria edhe te kryeministria, por nuk është lajmëruar askush. Por ne nuk kemi qare pa e mbajtur kështu, pa marrë parasysh a do të na mbështesin apo jo, ne do ta mbajmë”, tha Krasniqi.
I pari i Federatës së Boksit ka zbuluar më tutje se tashmë janë gjashtë shtete që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë turne. Aty bënë pjesë edhe Sllovakia, shtet i cili nuk e njeh edhe më tutje Kosovën si shtet.
“Gjashtë shtete vetëm se e kanë konfirmuar ardhjen, është Bullgaria, Zvicra, Italia, Sllovakia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, edhe Kosova do të thotë. Për të gjitha këto shtete kemi siguruar fjetjen dhe ushqimin, besoj që do të vijnë të gjitha, edhe pse Sllovakia nuk na ka pranuar si shtet, ajo ka marrë pjesë gjithmonë në turneun ‘Adem Jashari’… Përgatitjet sipas mendimit të selektorit janë shumë në nivel të lartë, shpresojmë që ne do të triumfojmë prapë se prapë, por mbi të gjitha ky është sport, kush është më i miri do të fitojë.”, tha më tutje i pari i Federatës së Boksit.
Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se një ftesë speciale nga ana e federatës për të qenë prezent në turne i është bërë familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.