Policia e Kosovës ka bërë të ditur se situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, ndërkaq dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Policia e Kosovës përmes një njoftimin për media thekson se pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë ende të mbyllura, për siç thonë për arsye tanimë të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave, raporton Telegrafi.
“Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë”, thuhet në njoftimin për media.
Policia thekson se ashtu si më parë, do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”, thuhet më tej.