Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkon nga Kuvendi që në kohën kur fillojnë dëgjimet buxhetore për vitin 2023, t’ia kthejë RTK-së buxhetin prej 2.1 milionë eurove të cilat i janë hequr më herët.
Kjo sindikatë përmes një komunikate për media ka thënë se me buxhetin aktual RTK nuk mund të funksionojë raporton Gazeta Express.
“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, RTK edhe ashtu ka pasur buxhet të vogël dhe shkurtesa prej 2.1 milionë eurosh ka shkaktuar probleme të mëdha në funksionimin normal të mediumit. Si rrjedhojë, me këtë buxhet RTK më nuk mund të funksionojë e lëre të pasurojë skemën programore me programe të reja për shikuesit nga të cilët edhe financohemi. Kjo kërkesë është urgjente dhe kërkojmë nga themeluesi i RTK-së që ta trajtojë shumë seriozisht”, thuhet në komunikatë.
Tutje, sindikata deklaron se edhe prona e RTK-së shkakton pengesa andaj objekti i Radio Kosovës duhet t’i takojë ligjërisht RTK-së.
“Ndër probleme të tjera që shkakton pengesa të mëdha është edhe prona e RTK-së. Ne në kërkesa të mëhershme kemi kërkuar që objekti ku është Radio Kosova t`i takojë ligjërisht RTK-së dhe kjo mund të bëhet nga Kuvendi i Kosovës. Të nderuar deputetë, kjo është koha e fundit për t`i adresuar këto çështje me urgjencë, sepse këto probleme e dëmtojnë edhe më shumë funksionimin dhe të ardhmen e RTK-së. Nuk ka asnjë medium publik në rajon që funksionon me kushte të tilla, pa pronë e me buxhet të shkurtuar. Besojmë në adresimin e shpejtë të këtyre çështjeve këtë vit”, thuhet tutje.