Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së i ka kërkuar menaxhmentit të SHSKUK-së dorëheqjen.
Nënkryetari i kësaj sindikate, Enlirat Duraku përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dhënë arsyet pse ky menaxhment duhet të dorëhiqet.
“Menaxhmenti i SHSKUK-së duhet të dorëhiqet për shkak se deri sot ka dëshmuar që qëllim primar e kanë të dalin mirë para atyre që i kanë emëruar, favoret, hakmarrjet ndaj mendimeve ndryshe, fotografinë me ministra e zv. ministra, ndërsa mirëqenien e punëtorëve shëndetësor dhe shëndetin kolektiv e kanë në plan të dytë. Nuk është turp inkompetenca, turp është të insistosh në diçka që është e gabuar dhe sjellë vetëm rezultate negative. Fotografitë nuk mjaftojnë që qytetarët të kenë shërbime cilësore, ndërsa as profesionistëve shëndetësor fotografia e bërë mirë dhe me aparat fotografie të sofistikuar nuk u’a përmirëson kushtet e punës dhe mirëqenien”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës si dhe të gjitha organizatat tjera duhet të angazhohen seriozisht që kjo, sipas tij të ndodhë sa më shpejtë për hirë të së mirës së përgjithshme. “Ose të dorëhiqen ose të kërkojnë shkarkim përmes protestave dhe grevave”, thuhet në deklaratën e tij.
Duraku ka thënë se nëse këto të fundit nuk reagojnë, padyshim që do organizohen greva, e të cilat sipas tij do të jenë të mbështetura në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, sigurisht nga ata të cilët nuk e kanë preokupim pagën e sindikalistit, mirëpo dinjitetin dhe mirëqenien e punëtorëve shëndetësor dhe shëndetin e qytetarëve të cilëve u shërbejmë.