Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, tha më 1 shtator, se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Kallëzimi është ngritur për shkak se Murati ka marrë vendim që të ndalojë pagat për punëtorët që janë në grevë që nga 25 gushti.
Më 31 gusht, Murati, ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët.
Për shkak të grevës, në Kosovë më 1 shtator nuk ka nisur viti i ri shkollor 2022/2023, pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për një gjë të tillë.
Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga 25 gushti.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Më 1 shtator përfaqësuesit e këshillit grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë vizituar disa shkolla të cilat janë në grevë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media më 1 shtator, tha se greva është duke vazhduar në institucionet arsimore.
“Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër, greva do të përfundojë kur thoni ju [mësimdhënës]. Greva do të përfundojë kur Qeveria do t’i plotësojë kërkesat tona”, tha Jasharaj.
Së fundmi, Ministria e Punëve të Brendshme ka procedurat Projektligjin për paga, që duhet të kalojë në procedura të paraprake dhe publike.
Ky legjislacion duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe hynë në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë.