Imagjinojeni të hyni në një librari për të blerë një libër për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës dhe titulli i parë që shihni është: “Srebrenica është gënjeshtër”. Dhe, ai nuk është i vetmi. Gjashtë ose shtatë titujt tjerë në raft janë të ngjashëm. Çfarë do të mendonit?
Kaloni nga një dyqan i ndërtuar me tulla e lloç tek interneti… dhe është pothuajse e njëjta gjë. Kjo është shqetësuese, pasi njerëzit sot, kur kërkojnë informacione, rrallë marrin një libër, por hapin Google, ose YouTube, ose burime të tjera në mediat sociale.
Në Bosnje, të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç mbështeten në informacionet e mbledhura në rrjetet e mediave online dhe sociale, tregon një sondazh i vitit të kaluar, i realizuar nga Mediacentar Sarajevo. Kjo e fundit është një organizatë joqeveritare, që mbështet dhe ndihmon zhvillimin e mediave të pavarura në Bosnje.
Merreni shembull Google. Shkruani “Srebrenica është…” në motorin më të njohur të kërkimeve në botë dhe rezultatet, në disa gjuhë, do të jenë tronditëse. Ato do të përfshijnë përgjigje si: “Srebrenica është gënjeshtër”.
Kur Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka kontaktuar Google, duke ia vënë në dukje këtë, kompania ka ndërmarrë veprime për ta hequr përmbajtjen që e mohon gjenocidin në Srebrenicë.
Megjithatë, kjo duket se zbatohet vetëm për rezultatet e kërkimit në gjuhën angleze në Google. Kërkimet për gjenocidin e Srebrenicës në gjuhë të tjera vazhdojnë të nxjerrin dezinformata.
Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë të Bosnjës janë mbledhur dhe janë vrarë nga forcat serbe pranë qytetit lindor të Srebrenicës. Ka qenë kjo vrasja më e rëndë masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Masakra në Srebrenicë është cilësuar si gjenocid edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiq, dhe ish-udhëheqësi politik i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiq, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, për shkak të roleve të tyre në gjenocidin e Srebrenicës.
Zyrtarët serbë mohojnë se forcat serbe kanë kryer gjenocid. Për Qeverinë në Serbi, ky është një “krim i tmerrshëm”, ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiq në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qershorin e vitit të kaluar.
Në qendër të Beogradit, një mural i Mlladiqit është vizatuar në fasadën e një ndërtese, çfarë nxjerr në pah faktin se për shumë serbë ai mbetet hero.
Për ata që jetojnë sot në Srebrenicë, qytetin që ndodhet në Republikën Sërpska – rajon i banuar më shumicë serbe i Bosnjës – dominimi i mohimit të gjenocidit në internet nuk është befasues.
“Kur e pashë të shkruar ‘Srebrenica është gënjeshtër’, nuk u çudita, sepse, për fat të keq, edhe sot shumë njerëz e mohojnë gjenocidin, duke thënë se e gjitha ishte gënjeshtër, se nuk ka ndodhur”, thotë Azemina Suliq, një nxënëse e shkollës së mesme në Srebrenicë, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Në vitin 2021, Valentin Inzko, kreu i atëhershëm i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit. Ligji është kritikuar ashpër nga udhëheqësit serbë të Bosnjës.
Google – në pronësi të kompanisë mëmë Alphabet – ka thënë se përpunon 63,000 pyetje çdo sekondë, ose 5.6 miliardë “google-ime” çdo ditë, përfshirë ato të nxënëses Suliq.
Edhe pse mendon se shumica e informacioneve të mbledhura nga ky motor i kërkimeve, nuk janë 100 për qind të sakta, Suliq thotë se Google është një burim i shpeshtë informacioni për të. “Kryesisht për shkollën, kur jam duke bërë ndonjë punim për një temë të caktuar”, thotë ajo.
Tijana Stefanoviq, nga qyteti Gornji Millanovac në Serbinë qendrore, gjithashtu mbështetet te Google për gjetjen e informacioneve. “Unë e kontrolloj internetin fillimisht”, thotë Stefanoviq për Radion Evropa e Lirë dhe shton se ajo përdor edhe burime të tjera online.
Pasi të shkruash “Srebrenica është…” jo vetëm në Google, por edhe në YouTube, dalin rezultate të ngjashme; “Srebrenica është gënjeshtër” është ndër rezultatet e para që shfaqen. “Nuk u befasova, por as nuk e prisja që të ishte rezultati i parë i kërkimit. Është ndoshta tema më e kërkuar në vendin tonë, kështu që është në krye”, thotë Stefanoviq.