Në Gjykatën Themelore në Ferizaj është shtyrë për në orën 13:00 aktgjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. I njëjti parashihej të jepej në orën 09:30.
Shtyrja është bërë nën arsyetimin për shkaqe procedurale, pasi që gjykatësi ka njoftuar se mbrojtësit e të akuzuarit nuk kanë mundësi të paraqiten në gjykatë deri në orën e lartëcekur, shkruan lajmi.net.
Po ashtu, i akuzuari ka thënë se nuk është mirë me shëndet dhe se ka pasur intervenim në këmbë.
Ekipet mjekësore aktualisht janë duke e kontrolluar të akuzuarin, Naser Pajazitaj.
Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 ishte privuar nga jeta në bjeshkët e Strellcit në mënyrë mizore të cilën vrasje pretendohet se e ka kryer kushëriri i saj Naser Pajazitaj.
Lidhur me këtë rast deri më tani janë shpallur gjashtë aktgjykime ( tri nga shkalla e parë, dy nga Gjykata e Apelit dhe një nga Gjykata Supreme), mirëpo procesi për këtë rast akoma nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Prokuroria: Donjeta Pajazitaj ishte vrarë me dy plumba në kokë dhe trupi i saj ishte fshehur
Prokuroria Themelore në Pejë më 8 qershor 2017 kishte ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë ndaj Naser Pajazitaj. Sipas kësaj aktakuze ai dyshohet se e kishte marrë viktimën me veturë në fshatin Strellc, e kishte dërguar atë në malet e Strellcit, e kishte vrarë me dy plumba dhe për të humbur gjurmët, trupin e saj e kishte mbuluar me disa drunjë.
Familja e Donjeta Pajazitaj lajmin për vdekjen e saj e kishin marrë vetëm pas më shumë se një muaji kur trupin e saj e kishin gjetur disa kalimtarë të rastit.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”
Gjashtë aktgjykime me lirim, dënim të përjetshëm dhe rigjykim ndaj Naser Pajazitaj.
Pavarësisht se nga fillimi i procesi i gjyqësorit e deri më tani për këtë gjykata ka vendosur në 6 vendime të ndryshme, Pajazitaj vazhdon akoma ta ketë statusin e personit të akuzuar, kjo ngase të gjitha vendimet e shkallës së parë ndaj tij janë prishur nga shkallët më të larta.
Aktgjykimi i parë ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018. Kjo gjykatë kishte konstatuar se ndaj Naser Pajazitaj, nuk kishte prova me të cilat dëshmohej se aj është fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar dhe në këtë mënyrë ndaj tij ishte shpallur aktgjykim lirues.
Kundër këtij vendimi kishte parashtruar ankesë Prokuroria e cila ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit duke prishur kështu aktgjykimin e Gjykatës së Pejës dhe duke kthyer lëndën në rigjykim.
Pasi lënda ishte kthyer në rigjykim Gjykata Themelore në Pejë, me provat e administruara në Gjykatë kishte konstatuar se Naser Pajazitaj është fajtor për akuzat ndaj tij duke e dënuar atë me dënimin më të lartë në Kosovë, pra dënim me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.
Pavarësisht se me aktgjykimet e dy instancave gjyqësore Naser Pajazitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi lënda kishte shkuar në Gjykatën Supreme kjo e fundit kishte konstatuar shkelje të ligjit në këto dy aktgjykime dhe lëndën e kishte kthyer përsëri në Gjykatën Themelore në Pejë.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, me arsyetimin e mënjanimit të dyshimeve ndaj sistemit të drejtësisë, Gjykata Themelore në Pejë me vendim të Gjykatës së Apelit ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në kompetencë, Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Ashtu siç kishte vepruar më herët Gjykata në Pejë dhe ajo e Apelit edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, pas rigjykimit të tretë të këtij rasti, më 27 maj 2021, e kishte shpallur fajtor Naser Pajazitajn, dhe e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.
As ky aktgjykim sikurse aktgjykimet e tjera në këtë rast nuk arriti ta marrë formën e prerë, kjo ngase pasi që i akuzuari kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, e njëjta kishte vendosur që çështja përsëri të kthehej në rigjykim.