Fundjava në Morinë ka nisur me një fluks të madh të qytetarëve të Kosovës dhe mjeteve që kanë hyrë në Shqipëri për pushime në bregdetin shqiptar, ndërkohë që lëvizja pa kontrolle në kufi po zbatohet duke shmangur pritjet dhe radhët e gjata.
Nga kufiri Kosovë-Shqipëri, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, e ka cilësuar si lajm të mirë që po gjen zbatim liberalizimi i kufijve gjatë fundjavave e që, sipas tij, ka dhënë efektet e menjëhershme me 15 për qind më shumë të qytetarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, sesa në periudhën e zakonshme me kontrolle.
Ambasadori Minxhozi, ndër të tjera, tha se e njëjta procedurë po zbatohet edhe në pikën kufitare të Shishtavecit, si një tjetër korridor i rëndësishëm mes Shqipërisë e Kosovës.
Aplikimi për lëvizjen pa kontrolle në të dyja anët e kufirit, në fundjavë dhe festa zyrtare, do të jetë në zbatim deri më 30 shtator./A2