Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal ka bërë të ditur për rritjen e rasteve me grip, krahasuar me javët paraprake.
IKSHPK njofton se që nga fillimi i sezonit së gripit, fillimi i muajit tetor e deri më tani, përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, janë konfirmuar 52 raste të gripit, disa prej të cilave për shkak të ashpërsisë janë shtrirë për mjekim në spital.
“Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e përhapjes së virusit të gripit. Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve të rënda shëndetësore që mund të vijnë nga Gripi, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Gripit në njësitë e vaksinimit (QKMF/QMF) në komunën ku jetojnë”, thuhet në njoftim.
IKSHPK tutje njofton se efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.