Shumica e frutave janë të ëmbla, hidratuese dhe përgjithësisht të shijshme. Konsumimi i frutave ju ndihmon të merrni vitamina dhe minerale thelbësore, antioksidantë dhe fibra.
Njerëzit që hanë më shumë fruta kanë rrezik të zvogëluar për sulm në zemër, goditje në tru apo kancer. Në një studim të vitit 2021, njerëzit që hanin të paktën dy racione fruta në ditë, kishin 36 për qind më pak të ngjarë të zhvillonin diabetin e tipit 2 sesa ata që hanin më pak se gjysmë porcioni në ditë.
Por, me kaq shumë lloje të ndryshme frutash, cilat duhen zgjedhur?
Para së gjithash, nuk mund të gaboni nëse shtoni më shumë fruta në dietën tuaj, por disa lloje dallohen nga të tjerat.
Luleshtrydhet
Luleshtrydhet, nëse janë të ëmbla, janë një zgjedhje e shkëlqyer për njerëzit me diabet ose për një dietë me pak karbohidrate.
Luleshtrydhet janë burim i shkëlqyer i antioksidantit anthocyanin, i cili është treguar se zvogëlon inflamacionin, stresin oksidativ dhe rezistencën ndaj insulinës, të cilët janë faktorë rreziku që lidhen me diabetin e tipit 2.
Boronicat
Boronicat janë plot me antioksidantë dhe ngrënia e tyre të paktën dy herë në javë është një pjesë e rëndësishme e dietës. Boronicat e egra janë plot me përfitime anti-inflamatore dhe kanë dy herë më shumë antioksidantë, ndërsa ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës dhe ngadalësimin e plakjes së trurit.
Shalqiri
Asgjë nuk shkon më mirë me një piknik veror sesa një fetë e madhe me lëng shalqiri. Ky ushqim veror jo vetëm që ka shije të mirë, por është edhe plot përfitime shëndetësore.
Është i pasur me likopen, një antioksidant që studimet tregojnë se mund të zvogëlojë rrezikun e disa llojeve të kancerit dhe të përmirësojë shëndetin e zemrës.
Likopeni ndihmon që shalqiri të bëhet i kuq dhe mund të gjendet në ushqime të tjera si domatet dhe papaja.
Kumbullat e thata
Nëse frutat e freskëta janë të vështira për t’u gjetur ose mbajtur, zëvendësojini me kumbulla të thata që janë të përsosura si lëndë ushqyese në sallata, ‘smoothie’ ose thjesht si meze e lehtë.
Një studim i vogël tregoi se vetëm pesë kumbulla të thata në ditë ndihmon në densitetin mineral të kockave në grupin e grave të moshuara me osteoporozë.
Bananet
Edhe pse të kaluarën disa i kanë akuzuar bananet se përmbajnë shumë sheqer, ato janë në fakt fruti i përsosur që jep energji në lëvizje. Janë të lehta për t’u tretur dhe një banane mesatare ka 27 gramë karbohidrate për të nxitur vrapimin ose rrotullimin.
Avokado
Avokado nuk është e ëmbël, por është padyshim një frut që duhet ta hani. Ndërsa shumica e frutave kanë shumë sheqerna natyrale, avokadot krenohen me yndyra të shëndetshme dhe fibra, si lëndët ushqyese kryesore.
Gjithashtu mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zemrës për shkak të përmbajtjes së yndyrave të shëndetshme dhe kaliumit.
Mjedrat
Kur bëhet fjalë për fibrat, nuk ka shumë fruta që mund të krahasohen me mjedrat. Një filxhan me mjedra ka tetë gramë fibra dhe vetëm 64 kalori. Një dietë e pasur me fibra mund t’ju ndihmojë të mbani një peshë të shëndetshme, të keni jashtëqitje të rregullta dhe madje të ulni kolesterolin.
Mjedrat janë plot me antioksidantë, antocianina dhe vitaminë C, të cilat luftojnë inflamacionin dhe ndihmojnë në plakjen e shëndetshme. /Telegrafi/