Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përçarë skajshmërisht spektrin politik të Luginës së Preshevës.
Arifi thotë se Lugina e Preshevës nuk pret më asgjë nga kryeministri Kurti, e që i cili sipas tij, ka rrezikuar partneritetin edhe me ShBA-të.
“Albin Kurti me politikat e tij në Luginë të Preshevës, nuk dallon me politikat e tij nga Shqipëria e Maqedonia. Albin Kurti në vitin e kaluar ka treguar që e ka përçarë skajshmërisht spektrin politik të Luginës së Preshevës. Është rrokur direkt me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rrezikuar skajshmërisht partneritetin me ShBA-të, për këtë arsye më lë të dyshojë personi i tij. Keqpërdorimi i mjeteve për Luginën e Preshevës nga ana e Kurtit, në bashkëpunim me Besnik Bislimin, tregon qartazi që Lugina e Preshevës nuk kemi çfarë presim nga Albin Kurti”, deklaroi Arifi në Tëvë1.Ndërkaq, i pyetur se a nuk ndihet fajtor për çështjen e përfaqësimit në Luginë, duke mos arritur ta shtyjë përpara vetë agjendën e tij, Arifi vlerësoi se ky është një perceptim i gabuar, pasi siç tha ai, Lugina e Preshevës ka pasur konsistencë të unifikimit politik, deri në momentin kur është bërë kryeministër Albin kurti.
“Është perceptim i gabuar, sepse në vitin 2020, pas 30 vite përpjekje jemi mundur që të unifikohemi në një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare. Gjithashtu, prej nga viti 2016, kemi një konsistencë në ndryshimin e spektrit politik. Pra, prej 10 partive politike deri në 2016, ne sot jemi vetëm 5 parti politike. Do të thotë e kemi një konsistencë të vazhdueshme të unifikimit të spektrit politik. Mirëpo, tani është ndërprerë në momentin kur është bërë kryeministër Albin Kurti”, theksoi më tej Arifi.
Ndër të tjerash, Arifi tha se Kurti është përfshirë edhe në proceset interne demokratike të Luginës.