Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka pranuar sot mbështetjen nga homologia e tij nga Shqipëria, Orgeta Manastirliu, për trajtimin e pacientëve kosovar me radioterapi.
Me këtë rast, ministri Latifi falënderoj Manastirliun për mbështetjen e dhënë për këta pacientë.
“Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe gjendemi pranë në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike”, thuhet në njoftimin për media.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.
Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të Shërbimit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, përfundon letra mbështetëse e ministres Manastirliu dërguar ministrit Latifi. /Telegrafi/