Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ka kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përmes një komunikate për media kjo shoqatë është deklaruar se përkrahë vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për reduktimin e punëve të prokurorive, shkruan lajmi.net.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve. Po ashtu, kjo shoqatë përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të marrë dje në takimin e vetë të jashtëzakonshëm për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale, për pezullimin e të gjitha format të bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për veprimet tjera të që parasheh vendimi i KPK-së.”, thuhet në komunikatë
SHPK-ja ka njoftuar se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë.
Gjithashtu, do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për hapat lidhur me këtë çështje opinioni do të njoftohet me kohë.
Kujtojmë se Qeveria Kurti në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kështu duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj të vitit 2017, e cila prekte rritjen e të ardhurave mujore edhe të punonjësve të drejtësisë.