Shkrimtarja franceze Annie Ernaux ka fituar Nobel-in në Letërsi për vitin 2022 për veprën e saj, teksa konsiderohej si favorite për të rrëmbyer çmimin.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, një nga kandidatët për ta fituar Nobelin, teksa ka ndjekur ceremoninë, i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, i pyetur nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.
“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, tha Kadare për Euronews.
Bashkëshortja e tij, Helena Kadare u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.
Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2022 i jepet autores franceze Annie Ernaux “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.