Sot është bërë hapja e Repartit të Hemodializës në Rahovec. Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës, Smajl Latifi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjerash Latifi ka thënë se hapja e Repartit të Hemodializës është një arritje madhore që dëshmon përkushtimin për të sjellë shërbime jetike më afër qytetarëve.
“Ky projekt, i nisur në vitin 2011 dhe i realizuar falë bashkëpunimit të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë, me ShSKUK–në, me Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe me Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, është një premtim i mbajtur dhe një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetësisë lokale. Mirënjohës dhe falënderues institucioneve të lartpërmendura!”- tha Latifi.
Postimi i plotë:
Lajm i mirë: Hemodializa në mjediset e QKMF “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec
***
Hapja e Repartit të Hemodializës në Rahovec është një arritje madhore që dëshmon përkushtimin tim dhe të ekipit tim për të sjellë shërbime jetike më afër qytetarëve tanë.
Ky projekt, i nisur në vitin 2011 dhe i realizuar falë bashkëpunimit të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë, me ShSKUK–në, me Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe me Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, është një premtim i mbajtur dhe një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetësisë lokale. Mirënjohës dhe falënderues institucioneve të lartpërmendura!
Po ashtu, falënderoj për punën e tyre për hapjen e këtij reparti edhe ish-kryetarin e komunës, z. Idriz Vehapi, si dhe ish-drejtorët e Drejtorisë për Shëndetësi, znj. Florije Popaj – Boshnjaku, z. Munib Durguti, z. Samir Mustafa dhe drejtoreshën aktuale, znj. Sarandë Sallteku.
Ky repart është ndër më të mirët në Kosovë, për të mos thënë më i miri, me staf profesional e me aparatura moderne dhe këtë e shohin edhe pacientët, të cilët tashmë kanë filluar të trajtohen këtu dhe janë të kënaqur me kushtet, me higjienën, me shërbimin cilësor si dhe me trajtimin profesional.
Kemi dëshmuar që me punë dhe vizion mund të bëjmë ndryshime të prekshme. Kemi qenë këmbëngulës, përkundër sfidave dhe vështirësive nga më të ndryshmet.
Do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për të forcuar sistemin shëndetësor dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve në të gjithë Kosovën!