Shtrëngimi i tregjeve për gazin e lëngshëm natyror (LNG) në mbarë botën dhe ulja e furnizimit me naftë nga prodhuesit kryesorë e kanë vënë botën në mes të “krizës së parë vërtet globale të energjisë”, tha të martën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), raporton CNN.
Rritja e importeve të gazit natyror në Evropë në mes të krizës në Ukrainë dhe një rikthim i mundshëm i oreksit kinez për karburantin do të shtrëngojë tregun pasi vetëm 20 miliardë metra kub kapacitet të ri të gazit natyror do të dalin në treg vitin e ardhshëm, tha drejtori ekzekutiv i IEA Fatih Birol, gjatë Javës ndërkombëtare të Energjisë në Singapor.
Në të njëjtën kohë, vendimi i fundit i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të saj, të njohur si OPEC+, për të ulur 2 milionë fuçi në ditë të prodhimit është një vendim “i rrezikshëm”, tha Birol.
Rritja e çmimeve globale në një sërë burimesh energjie, duke përfshirë naftën, gazin natyror dhe qymyrin, po godet konsumatorët në të njëjtën kohë që tashmë po përballen me rritjen e inflacionit të ushqimeve dhe shërbimeve. Çmimet e larta dhe mundësia e racionimit janë potencialisht të rrezikshme për konsumatorët evropianë teksa përgatiten të hyjnë në dimrin e hemisferës veriore.
Megjithatë, Evropa mund ta kalojë këtë dimër, ndonëse disi e dëmtuar, nëse moti mbetet i butë, tha Birol.
“Nëse nuk do të kemi një dimër jashtëzakonisht të ftohtë dhe të gjatë, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë për sa i përket asaj që kemi parë, për shembull shpërthimi i gazsjellësit Nord Stream, Evropa duhet ta kalojë këtë dimër me disa mavijosje ekonomike dhe sociale”, shtoi ai.
Për naftën, konsumi pritet të rritet me 1.7 milionë fuçi në ditë në vitin 2023, kështu që bota do të ketë ende nevojë për naftën ruse për të përmbushur kërkesën, tha Birol.
Vendet e G7 kanë propozuar një mekanizëm që do t’u mundësonte vendeve në zhvillim të blejnë naftën ruse, por me çmime më të ulëta për të kufizuar të ardhurat e Moskës në vazhdën e luftës në Ukrainë.