Qeveria e SHBA-së porosit disa milionë vaksina kundër koronavirusit tek kompanitë farmaceutike Pfizer dhe Biontech.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për vjeshtën dhe kanë porositur më shumë se 100 milionë doza vaksine kundër virusit korona nga kompanitë Biontech dhe Pfizer. Uashingtoni njoftoi se është arritur një marrëveshje për të blerë 105 milionë doza vaksinash me një çmim prej 3.2 miliardë dollarësh. Qeveria e SHBA-së ka frikë nga një rritje e re e numrit të infeksioneve në vjeshtë.
Porosia përfshin vaksina si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Furnizimi me vaksinat kundër COVID-19 është planifikuar të fillojë në fund të verës. Sipas shefit të Pfizer, Albert Bourla, bëhet fjalë për vaksina që mund të mbrojnë në mënyrë specifike kundër varianteve më të reja të virusit si p.sh. Omikron.
Një vaksinë kundër shumë virusesh korona
Me vaksinat kundër Covidit, kompania Biontech po punon me partnerin e saj amerikan, Pfizer jo vetëm për një vaksinë të përshtatur me variantin shumë ngjitës Omikron, e cila pritet të marrë miratimin e mundshëm për përdorim në vjeshtë.
Në gjysmën e dytë të vitit kompania me qendër në Mainz dëshiron të fillojë gjithashtu testimin klinik të vaksinave të gjeneratës së ardhshme, të cilat pritet të ofrojnë mbrojnë kundër një numri të madh virusesh korona. Këto përfshijnë vaksina për forcimin e qelizave T, të cilat mbrojnë kryesisht kundër sëmundjeve të rënda, dhe vaksina ndaj pan-koronavirusit, të cilat janë krijuar për të mbrojtur kundër të gjithë familjes së virusit dhe mutacioneve të tij. Qëllimi është “të ofrohet mbrojtje e përhershme kundër varianteve të ndryshme”./DW