Ka dhjetë ditë që veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohet se sulmoi policët dhe objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Grupe të armatosura kriminale por edhe serbë lokal të detyruar me forcë kanë barrikaduar rrugët në veri të Kosovës.
Jeta dhe lëvizja e lirë po pamundësohen në atë pjesë të Kosovës.
Të bllokuar nëpër pika kufitare që nga ajo ditë kanë mbetur edhe shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët nuk janë ndërruar asnjëherë, shkruan Demokracia.com.
Duke e parë këtë situatë qytetarë të shumtë në rrjete sociale po kërkojnë që të bllokohen dhe të mos blihen mallrat nga Serbia.
Por, kryeministri aktual që në krejt kohën si opozitarë kërkonte të bojkotohet mallrat e Serbisë, madje organizonte protesta dhe rrokulliste kamionët me mallra nga Serbia, nuk ka vendosur as masën më të vogël për prodhimet e Serbisë.
“Me pushtetin e Vetëvendosjes një gjë e tillë do të bëhet shumë kollaj. Serbia duhet të kushtëzohet. E bllokon kufirin dhe nuk ta lejoj tregun e Kosovës përderisa sillesh në mënyrë kriminale me ne.”, thoshte Kurti dikur.
Sipas të dhënave të fundit, Kosova me Serbinë në tetorin e vitit 2021, importi me mallra ishte 31 milionë e 186 euro. Derisa, në tetorin e këtij viti, importi me mallra nga Serbia ishte 34 milionë 090 euro.
Agjencia e Statistikave në raportin e fundit ka treguar se importi i mallrave me Serbinë ka vazhduar të rritet derisa më Shqipërinë ka shënuar rënie.
Veç në muajin tetor të këtij viti Kosova ka blerë mallra nga Serbia në vlerë mbi 34 milionë euro. Kurse, në të njëjtën kohë në vendin tonë nga Shqipëria kanë hyrë mallra në vlerë të 21 milionë eurove, që i bie, mbi 10 milionë me pak se sa nga Serbia
Me Serbinë në tetorin e vitit 2021, importi me mallra ishte 31 milionë e 186 euro.
Me Serbinë në tetorin e vitit 2022, importi me mallra ishte 34 milionë 090 euro.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave kanë treguar po ashtu se edhe në përqindje, Serbia e kalon Shqipërinë me import.
“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milionë euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%)”.
Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202.1 milionë euro, ose 41.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.4 për qind) dhe Kina (10.0 për qind)
Importi i Kosovës në total gjatë muajit tetor të këtij vit kap shumën e 488 milionë eurove.
Por, shumë me pak shifra kemi kur flitet për eksportin e mallrave nëpër shtete.
Sipas të dhënave të fundit, Kosova në muajin tetor në total ka eksportuar mallra në vlerë të 86.4 milionë eurove.
Edhe eksporti i mallrave drejt Shqipërisë ka shënuar rënie gjatë tetorit të këtij viti.
Kurse, me Serbinë është rritur.
Eksporti me Shqipërinë në tetor të vitit 2021 ishte 8 milionë e 875 euro.Eksporti me Shqipërinë në tetor të vitit 2022 ishte 7 milionë e 553 euro.
Eksporti me Serbinë në tetor të vitit 2021 ishte 3 milionë e 691 euro.
Eksporti me Serbinë në tetor të vitit 2022 ishte 5 milionë e 502 euro.
Po ashtu duke ju referuar të dhënave të ASK-së, kuptohet se eksporti nga Kosova me vendet CEFTA-së gjatë muajit tetor është bërë në Maqedoni, Shqipëri, Serbi dhe Mali i Zi.
“Në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milion Euro, ose 33.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (12.9%), Shqipëria (8.7%), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4.0%)”.
Mallrat e Kosovës në një sasi pak më të vogël kanë shkuar edhe në Amerikë e Zvicër.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.0 milionë euro, ose 23.2 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë SHBA (9.4%), dhe Zvicra (8.5%).
Agjencia e Statistikave të Kosovës në publikimin e fundit për dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit, ka treguar se Kosova ka një deficit tregtar më të lartë për 13.0 për qind në muajin tetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 402.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milionë euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.7 për qind, transmeton monitor përcjell albinfo.ch.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milionë euro, ndërsa importi 488.7 milionë euro, që është një rritje prej 19.1 për qind për eksport dhe 14.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti vetëm nga Serbia për në Kosovë janë importuar mallra me vlerë prej afër 150 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të viti paraprak, vlera e importit është shtuar për mbi 30 milionë.
Në 5 vitet e fundit, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia në vitin 2017. Në vitin 2017 vlera e importit të mallrave nga Serbia ishte 449 milionë e 305 mijë euro, në vitin 2018 ishte 386 milionë e 475 mijë euro, më 2019 ishte vetëm 4 milionë e 443 mijë euro. 2019-ta ishte viti kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë 100% për produktet që vinin nga Serbia.
Në vitin kur u shfaq pandemia, 2020, vlera e importit nga Serbia ishte 173 milionë e 428 mijë euro. Kurse në vitin 2021, vlera është rritur përsëri dhe ka arritur në 305 milionë e 398 mijë euro.