Nga viti 2008 – kur Kosova shpalli pavarësinë – deri më 2021, mjetet nga buxheti i Serbisë për shtetin e ri u dyfishuan.
Të dhënat e disponueshme tregojnë se fondet për Kosovën në vitin 2008 kapnin vlerën e 52.3 milionë eurove, ndërsa në vitin 2021 arritën në 124.2 milionë euro.
Megjithatë, mjetet e nxjerra në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht të gjitha paratë që Serbia ka ndarë për Kosovën.
“Është e vështirë të verifikohen ato investime që shkojnë në mënyrë indirekte, nga burime publike, e që nuk mbulohen nga fondet buxhetore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nemanja Nenadiq, drejtor i programeve në organizatën joqeveritare Transparenca në Serbi.
REL-i i analizoi të dhënat e disponueshme në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nga viti 2008 deri në vitin 2021. Këto, njëherësh, janë të dhënat e fundit në dispozicion për publikun.
Totali i mjeteve: 853.2 milionë euro
Sipas të dhënave të disponueshme, ndarjet buxhetore të Serbisë për Kosovën ishin të njëjta deri në vitin 2016. Nga ai vit, Serbia filloi ta rrisë sasinë.
Përmes ministrive të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, ajo dha 853.2 milionë euro nga buxheti për ish-krahinën e saj jugore.
Ndarjet nga buxheti i Serbisë për Kosovën 2008-2021
Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia nuk e njeh atë si shtet.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.
Shumica e parave kaluan përmes së ashtuquajturës Zyra për Kosovën
Shumica e parave nga Serbia në Kosovë kaluan përmes së ashtuquajturës Zyra për Kosovën.
Deri në vitin 2016, në kuadër të Qeverisë së Serbisë ekzistonte Ministria për Kosovën, por, pas zgjedhjeve të vitit 2016, në vend të saj u formua një zyrë.
Mjetet për Ministrinë për Kosovën dhe të ashtuquajturën Zyra për Kosovën
Të dhënat tregojnë se 80 për qind e totalit të pagesave për Kosovën, të paraqitura në llogaritë përfundimtare nga viti 2008 deri në vitin 2021, kaluan përmes të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, gjegjësisht Ministrisë për Kosovën.
Siç shihet nga llogaritë përfundimtare të buxhetit, fondet u ndanë edhe përmes ministrive të veçanta.
Mjetet e ndara përmes Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe Inovacionit
Mjetet për qarqe në rënie
Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova e ndau territorin administrativ në shtatë qarqe.
Mjetet për Qarkun e Kosovës 2008-2021
Me kalimin e viteve, më së shumti para iu ndanë qarkut të Kosovës, i pasuar nga Mitrovica e Kosovës.
Mjetet për Qarkun e Pejës 2008-2021
Ndarjet buxhetore për qarqe, sipas të dhënave nga llogaritë përfundimtare, janë më të vogla në vitin 2021 sesa në vitin 2008 – përveç në rastin e Qarkut të Prizrenit.
Mjetet për Qarkun e Prizrenit 2008-2021
Në vitin 2019, në kuadër të fondeve për Qarkun e Anamoravës, shteti serb pagoi 2.7 milionë dinarë për gjoba.
Kjo shumë është për një milion euro më e lartë se të gjitha mjetet që u ndanë për atë qark që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, nuk specifikohet se për çfarë gjobash bëhet fjalë.
Mjetet për Qarkun e Anamoravës
Mjetet për Kishën Ortodokse Serbe dhe klerikët
Mjetet për përkrahjen e klerit dhe manastireve në Kosovë u ndanë përmes Drejtorisë për Bashkëpunim me Kishat dhe Bashkësitë Fetare.
Mjetet për kishën 2008-2021
Sipas të dhënave, mbështetja financiare për Kishën Ortodokse Serbe u realizua përmes Ministrisë, përkatësisht Zyrës së Qeverisë për Kosovën.
Raporti i shpenzimeve për Kosovën, “në pritje” nga viti 2014
Mënyra e shpenzimit të fondeve nga buxheti i Serbisë në Kosovë ishte temë e një komisioni hetimor të Kuvendit të Serbisë, të formuar në maj të vitit 2013. Hetimi lidhej me periudhën 2000-2012.
Pas hetimit, ky komision miratoi një raport në prill të vitit 2014, ku u tha se janë gjetur keqpërdorime të parave dhe shpenzime të paqëllimshme pothuajse në të gjitha fushat – shëndetësi, arsim, ndërtim të objekteve të infrastrukturës e të tjera.
Procedura kërkonte që raporti t’u paraqitej deputetëve në Kuvend, por ai nuk arriti asnjëherë të dilte në rend dite.
Raporti i Komisionit Hetimor nuk ka efekte derisa nuk miratohet nga deputetët e Kuvendit. Vetëm atëherë ai bëhet i detyrueshëm për institucionet kompetente.