Senati amerikan ratifikoi protokollet për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, një votim historik që synon zgjerimin e Aleancës, ndërsa ajo përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti Joe Biden dërgoi protokollet për ratifikim në Senat në korrik, duke i hapur rrugën votimit, i cili duhej të miratohej nga dy të tretat e Senatit për të pasur sukses. Rezultati përfundimtar i votave të Senatit ishte 95 me 1, duke treguar unifikimin e politikës amerikanë në këtë çështje.
Ambasadorja suedeze në SHBA, Karin Olofsdotter dhe Paivi Nevala, zyrtare e lartë në Ambasadën finlandeze në Amerikë, ishin ftuar për të ndjekur nga afër votimin e Senatit.
“Aleanca jonë e NATO-s është themeli që ka garantuar demokracinë në botën perëndimore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo forcon NATO-n edhe më tej dhe është veçanërisht e nevojshme në dritën e agresionit të fundit rus”, tha Schumer nga foltorja e Senatit.
“Kur kryetari McConnell dhe unë u takuam me presidentin finlandez dhe kryeministrin suedez në maj, ne u angazhuam të përshpejtonim hapat e anëtarësimit sa më shpejt që të mundeshim dhe sigurisht përpara se të shkonim në shtëpi për pushimet e gushtit”, tha Schumer.
NATO zyrtarizoi ftesën e saj për Suedinë dhe Finlandën për t’iu bashkuar Aleancës në fund të qershorit dhe vendimi duhet të shkojë në parlamentet e 30 vendeve anëtare për ratifikim përfundimtar.