Sekretari Gjeneral i FIBA Botës apo numri një i basketbollit në botë, Andreas Zagklis do të vizitojë Kosovën ku do të qëndrojë sot dhe nesër.
Ai do të jetë i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare që zhvillohet sot në Mitrovicë (nga ora 20:00), si dhe do të takohet me krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Ai po ashtu do të takohet me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nga ora 14:30 në hotelin “Sheraton”.
Sekretari Gjeneral i FIBA Botës gjithashtu do të takohet me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama nesër nga ora 10:00 në Komunën e Prishtinës dhe me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku nga ora 11:00 në MKRS.
Zagklis është një mbështetës i madh i basketbollit të Kosovës, duke përkrahur projekte të ndryshme, si dhe FBK-në, ku në shumë raste e ka lavdëruar punën që bën Federata.
Kjo është vizita e parë e Sekretarit Gjeneral të FIBA-s në Kosovë, duke treguar mbështetjen e madhe për basketbollin e Kosovës.