Kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se NATO do të vazhdojë ta mbështesë me ndihmë ushtarake Ukrainën që të mbrohet nga Rusia, dhe atë për aq të jetë e nevojshme.
“Rusia me luftën e saj brutale dhe agresionin ka shkelur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës. Është e drejtë që shtetet janë bashkuar këtu, por shumë tjera po japin kontributin e tyre që Ukraina të mund ta mbrojë veten, qoftë në aspektin financiar, humanitar apo duke i ofruar armë Ukrainës”, tha Scholz me të mbërritur në Madrid ku po mbahet Samiti i NATO-s, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha një ditë më parë se Berlini do t’i ofrojë 15 mijë ushtarë, 65 aeroplanë e 20 anije, si pjesë e planit që të rritet gatishmëria ushtarake e NATO-s.
E Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi të hënën se Aleanca Veri-Atlantike do të rrisë numrin e trupave që do të jenë në gatishmëri të lartë – duke shkuar në 300 mijë deri në vitin 2023.
Ndërkaq presidenti amerikan Joe Biden ka ripësëritur se Shtetet e Bashkuara do të rrisin prezencën ushtarake në Evropë, duke shpërndarë arsenalin në vendet anëtare të NATO-s.