Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz në fjalimin e tij në Samitin e Berlinit ka thënë se ky proces do të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve që do të bëhet sot, do ta lehtësojë jetën e njerëzve në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Jemi të bindur se procesi i Berlinit do të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot do të nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do të bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë. Tregu i përbashkët rajonal do të rrisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshjet do të mundësojnë që të kalojnë kufijtë midis vendeve tuaja vetëm me letërnjoftime. Kjo ju përafron me standardet evropiane dhe tregjet rajonale për të cilët jemi përkushtuar në vitin 2020. Procesi i Berlinit vazhdon të ofrojë rezultate dhe ky është mesazhi i tij”, tha Scholz ndër të tjera në fjalimin e tij.
Scholz po ashtu ka thënë se konfliktet rajonale që i mbajnë të përçarë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fund. Ai ka përmendur këtu Kosovën dhe Serbinë duke thënë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve duhet të përshpejtohet.
“Është koha për të ndaluar konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë, konfliktet që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht në atë mënyrë që prodhon rezultate. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në këtë proces që t’i mbështesë”, ka thënë kancelari gjerman.