Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), njoftoi të hënën se Qeveria aktuale nuk po i merr parasysh kërkesat për të dialoguar, derisa paralajmëroi “reagime të forta sindikale” para shtatorit, kur është paraparë fillimi i vitit shkollor.
Në një komunikatë për media, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se të gjitha institucionet shkollore, administratat në komuna, por edhe të punësuarit e tjerë, do të jenë në grevë të përgjithshme nga shtatori, deri sa “Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptojë se duhet të ulet me sindikatat të gjejë zgjidhje”.
“Kjo qeveri nuk është duke jetuar me realitetin dhe as nuk po e ndien sfidën që të punësuarit në sektorin publik e në atë privat po përballën me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të artikujve elementar dhe se ata ishin të varfër e po bëhen gjithnjë e më skamnorë. Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë gishtin kokës sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat, as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave. Qeveria po sillet se vetëm Kurti e Murati ekzistojnë në këtë nënqiellin e Kosovës”, tha Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut potencoi se Qeverisë i janë dërguar letra e ndërmjetësues ligjor për t’u takuar, por që kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar.
“I dërguan edhe ndërmjetësuesin ligjor për dialog, që i ngjason atij plakut pleqnar në kohët e Kanunit kur përplaseshin dy fise dhe ata, edhe pse nuk kishin shumë shkollë e nuk kishin lexuar shumë libra sa Albini, pranonin pleqnarët dhe uleshin për të gjetur zgjidhje. Kurtit, Muratit e disa qeveritarëve të tjerë nuk u kanë lënë përshtypje gjithë këto angazhime të sindikatave e as ky pleqnari bashkëkohor e ligjor dhe në këtë mënyrë ata duke mos ndjerë nevojë as të deklarohen sepse vota e madhe e popullit ua ka trullosur kokën dhe mendjen, po thonë se nuk japim as pesë para për sindikatat dhe të tjerët”, thuhet tutje.
Sindikata e Arsimit tash e sa muaj kërkon që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve.