Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se të shtunën nuk do të mbahet mësim, sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit për orët e humbura në grevë, raporton Ekonomia Online.
Jasharaj ka thënë se vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva gjatë të shtunave, ka qenë i ngutshëm.
Sipas tij, Nagavci nuk e ka respektuar kontratën kolektive ku thuhet se orët e mësimit të humbura nga greva nuk kompensohen – përveç nëse palët nënshkruese, pra Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u, arrijnë marrëveshje të veçantë.
“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë, duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci e cila nuk respektoi marrëveshjen e lidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-it më 22 janar, 2021, dhe neni 34, pika 8, e cila thotë qartazi: ‘orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët arrijnë marrëveshje të veçantë’”, tha Jasharaj.
“SBASHK është obligativ ta respektojë kontratën”, tha ai.