Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës është në pritje për mësimdhënësit.
Kështu deklaroi Reshit Kushaj, nga SBASHK.
Kushaj tha se në mbrëmje do të zhvillohet një takim me kryetarët komunal të SBASHK-ut dhe ndoshta aty mund të merret ndonjë vendim për veprim sindikal.
“Po, jemi ende në pritje të ekzekutimit të pagave” – tha ai.
“Ne çdo mbrëmje në ora 20:00, zhvillojmë takime online me kryetarët komunal të SBASHK-ut dhe ndoshta aty mund të merret ndonjë vendim për veprim sindikal” – theksoi Kushaj për Klankosova.tv
Ai shtoi se presin nga Qeveria e Kosovës të reflektojë lidhur me situatën.
“Ne akoma nuk kemi ndonjë ftesë nga Qeveria. Kryetarët komunal të sindikatës po zhvillojnë takime me kryetarët e komunave dhe ne presim që ata të veprojnë, sepse siç e dini ju punëdhënëse është komuna” – shtoi ai.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, ka thënë se do ta presin qeverinë deri më 5 tetor që t’i ekzekutojë pagat, dhe nëse kjo nuk ndodh mund të ketë rikthim të grevës.
Të hënën ka nisur procesi mësimor pas pesë javësh për shkak të grevës.