Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar sot në Berlin në një samit të udhëhequr nga kancelari gjerman Olaf Scholz ku po marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë evropian.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz në fjalimin e tij në Samitin e Berlinit ka thënë se ky proces do të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Scholz po ashtu ka thënë se konfliktet rajonale që i mbajnë të përçarë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fund. Ai ka përmendur këtu Kosovën dhe Serbinë duke thënë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve duhet të përshpejtohet.
“Është koha për të ndaluar konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë, konfliktet që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht në atë mënyrë që prodhon rezultate. Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në këtë proces që t’i mbështesë”, ka thënë kancelari gjerman.