NATO është zotuar të “forcojë ndjeshëm aftësitë e saj parandaluese dhe ato të mbrojtjes” me aleancën që miratoi një “koncept të ri strategjik”, duke paralajmëruar Rusinë se duhet “menjëherë” të tërhiqet nga Ukraina.
Udhëheqësit nga 30 vende anëtare janë takuar në Madrid për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, mbështetjen për Kievin, si të luftohet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe rishikimi i strategjive të NATO-s dhe rritja e forcave ushtarake.
Duke përcaktuar një plan për kërcënimet dhe sfidat, aleanca premtoi të “mbronte çdo centimetër” të territorit të saj, ndërsa nënvizoi një “qëndrim parandalues dhe mbrojtës” bazuar në një përzierje të “aftësive të mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe asaj raketore”.
Përtej Rusisë, ‘Koncepti i ri Strategjik’ i aleancës e përshkroi gjithashtu Kinën si një sfidë për “interesat, sigurinë dhe vlerat tona” – dhe se Pekini “kërkon të minojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kjo përfaqëson “ndryshime themelore në mbrojtje” dhe se ishte “hera e parë që nga Lufta e Ftohtë” që plane të tilla hynin në fuqi.