Fjalimi i deputetes së Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli të enjten në seancën e Kuvendit lidhur me mediat ka nxitur edhe reagimin e rrjetit SafeJournalists.
Ky rrjet i gazetarëve thekson se narrativa e deputetes ndaj mediave rrezikon lirinë e medias.
“Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në fjalën e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka sugjeruar që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave, pasi ajo bëri thirrje për rregullim qeveritar të mediave, veçanërisht portaleve online. Në Kosovë shumica e mediave janë të regjistruara si biznese në kuadër të Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve – ARBK, ndërsa pjesa tjetër e mediave janë të regjistruara si OJQ, dhe aktiviteti i tyre rregullohet me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe me Kodin e Mirësjelljes të Komisioni i Pavarur për Media dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës”, thuhet më tej.
Thirrja e hapur e deputetit Pacolli për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës për kontrollin e mediave është e papranueshme pasi po perceptohet edhe si rrezikim i lirisë së fjalës dhe demokracisë.
“Kjo është një deklaratë shumë shqetësuese që ka bërë deputetja Pacolli dhe nuk është hera e parë që ajo ka debate me media. Thirrja e saj për përfshirje të drejtpërdrejtë të Qeverisë në bizneset mediatike është alarmante dhe shpresojmë se nuk është shenjë e gjërave që vijnë nga partia në pushtet. Çdo ndërhyrje do të përbënte sulm të hapur kundër lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK.
Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet partnerit të saj Asociacionit të gazetarëve të Kosovës në dënimin e narrativave të tilla.
“Ne dënojmë çdo iniciativë të qeverive që synon kontrollin mbi median, pasi këto përpjekje janë të papranueshme në vendet demokratike.
Çdo kërcënim ndaj lirisë së medias është kërcënim për interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve”, thuhet më tej.
Ndryshe, edhe AGK dhe IKSHPK kanë reaguar ndaj fjalimit dhe thirrjes se deputetes Pacolli.