Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se televizioni publik është gjobitur me tre mijë euro nga Inspektorati i Punës, për siç thuhet, degradimin e paligjshëm të kryetarit të Sindikatës, Fadil Hoxha.
“Inspektorati i Punës e ka dënuar Radiotelevizionin e Kosovës me tre mijë euro gjobë për degradimin e jashtëligjshëm të kryetarit të Sindikatës Fadil B.Hoxha”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sipas vendimit të Inspektoratit RTK-ja obligohet që në afat prej tetë ditësh ta paguajë këtë dënim, në të kundërtën thuhet se do të iniciohet procedurë përmbarimore.
“SPRTK- e mirëpret këtë vendim të Inspektoratit për ndëshkimin e paligjshmërisë, por në anën tjetër është e shqetësuar për dëmin financiar që po i shkaktohet Radiotelevizionit të Kosovës për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të menaxhmentit”, thuhet në njoftim.
Sindikata ka kërkuar nga Bordi i RTK-së që ta thërras në përgjegjësi menaxhmentin, siç thuhet, për dëmin materail dhe jomaterial që po ua shkakton të punësuarve të RTK-së si dhe për dëmtimin e buxhetit dhe imazhit të RTK-së.
“Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës me Kryesinë dhe komisionet përkatëse që mbikëqyrin Transmetuesin Publik, të reagojnë dhe të kërkojnë që përgjegjësit për veprimet e paligjshme të japin llogari. Pasojat nga veprimet e jashtëligjshme si kjo e degradimit të kryetarit Hoxha, do ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen financiare të RTK-së e cila edhe ashtu është e rëndë”, thuhet në njoftim.