Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një komunikatë pas rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë.
MSH me anë të një komunikate për media ka thënë se ministri Latifi ka zhvilluar takime të rregullta me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe trupin këshillëdhënës lidhur me COVID-19, me qëllim të mobilizimit sa më të mirë të institucioneve shëndetësore për t’u ballafaquar me çfarëdo situate epidemiologjike si pasojë e rritjes së rasteve të reja të COVID-19 në javët e fundit, shkruan lajmi.net.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin, të zbatojnë masat në fuqi kundër COVID-19, të përditësuara së fundi më 30 prill 2022 dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më pare”, thuhet në komunikatë.
MSH ka paralajmëruar edhe masa të reja më shtrënguese në Kosovë.
“Ndryshimi eventual i masave në fuqi, do të mund të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj”, thuhet në komunikatën e MSH-së.
Njoftimi i plotë:
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi ka zhvilluar takime të rregullta me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe trupin këshillëdhënës lidhur me COVID-19, me qëllim të mobilizimit sa më të mirë të institucioneve shëndetësore për t’u ballafaquar me çfarëdo situate epidemiologjike si pasojë e rritjes së rasteve të reja të COVID-19 në javët e fundit.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin, të zbatojnë masat në fuqi kundër COVID-19, të përditësuara së fundi më 30 prill 2022 dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë.
Në veçanti, i bëhet thirrje kësaj grup-moshe dhe personave me imunitet të komprometuar, që të shmangin qëndrimet në ambiente ku ka grumbullim të njerëzve, përderisa rekomandohet bartja e maskës në ambiente të mbyllura dhe vaksinimi për grup-moshat e lejuara që të vaksinohen.
Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, u bëhet thirrje të gjitha institucioneve publike dhe private, veprimtarive ekonomike, në veçanti sektorit të gastronomisë, sektorëve të kulturës, sportit si dhe të gjitha veprimtarive të tjera, që të zbatojnë masën në fuqi që të punësuarve, klientëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete dhe veprimtari përkatëse, t’u kërkohet dëshmia e marrjes së dy dozave të vaksinës kundër COVID-19, përveç personave nën moshën 16 vjeç dhe personave të liruar nga vaksinimi sipas kundër-indikacioneve për vaksinim me dëshmi të mjekut.
Institucioneve mbikëqyrëse ndërkaq u kërkohet që të mbikëqyrin zbatimin e masave në fuqi dhe të rrisin aktivitetet e tyre.
Si pasojë e rritjes së rasteve të COVID-19, ka filluar të rritet edhe ngarkesa spitalore, prandaj Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me tre nivelet e kujdesit shëndetësor do të rris nivelin e mobilizimit dhe fuqizimit të kapaciteteve për t’iu përgjigjur kësaj situate.
Gjithashtu, do të fuqizohet edhe bashkëpunimi me komunat dhe shtabet emergjente komunale.
Ministria e Shëndetësisë, sipas masave në fuqi, u rekomandon qytetarëve bartjen e maskave mbrojtëse në hapësira të brendshme si dhe vaksinimin me dozat e vaksinës sipas grup-moshave të lejuara për vaksinim.
Ndryshimi eventual i masave në fuqi, do të mund të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj.