Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku është theksuar se brenda dy vjetëve të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, se për herë të dytë në dy vjet të qeverisjes është ngritur çmimi i energjisë elektrike për të gjithë qytetarët.
“Për herë të dytë në këto dy vjet të Qeverisë, të gjithë qytetarëve u ngritët çmimi i energjisë elektrike, kësaj here për 15.4%. E tëra kjo, në këtë kohë krize ku çmimet e produkteve esenciale janë rritur për 50%, ku tatimi në pronë është rritur për 100%, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik e as atë privat dhe kur kursimet pensionale në Trust janë zvogëluar për 156 milionë euro”, është shprehur ai.
Mustafa, në një konferencë për media të mbajtur të premten, më 31 mars, një ditë pas vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka thënë se Qeveria Kurti për dy vjet nuk ka investuar “asnjë cent në krijimin e kapaciteteve të reja të gjeneratorit në sektorin e energjisë elektrike”.
Sipas tij, Qeveria duhet urgjentisht të investoj në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet të plotë me sektorin privat, vendor dhe ndërkombëtar.
“Këto investime duhet përqendruar në burimet e ripërtëritshme të energjisë si dhe te termocentrali me gaz që siguron tranzicion të qëndrueshëm”, ka deklaruar ai.
“Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë e qëndrueshme. Për më keq procesi i remontit të blloqeve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy viteve duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor e duke rritur nevojën për import të energjisë me çmime tejet të larta”, është shprehur tutje Mustafa.
Ai ka shtuar se dështimet ekonomike të Qeverisë Kurti në sektorin e energjisë elektrike janë edhe për shkak se Qeveria nuk e ka marrë parasysh kërkesën e tyre për uljen e TVSH-së në faturat e energjisë elektrike në 0%.
Gjithashtu, ai ka thënë se format e subvencionimit të faturave nga qeveria nuk janë zgjidhje, pasi sipas tij, nëse të gjitha ato para do të investoheshin në prodhimin e energjisë, vendi nuk do të përballej me këto probleme.