Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka zgjedhur heshtjen për rastin e kamatave të larta që janë duke aplikuar institucionet mikrofinanciare në vend për klientët e tyre.
Mirëpo ky institucion ka nxjerrë një rregullore kohë më parë e cila e obligon që të kërkojë nga IMF-të t’i justifikojnë tarifat e vëna me rastin e dhënies së kredive.
Hulumtimi i Buletinit Ekonomik i bërë ditë më parë, ka nxjerrë në pah kamatat super të larta deri në 41% që aplikojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë.
Nëpër çmimoret e tyre, normat e interesit variojnë nga 23 për qind deri në 41 për qind, që njëherit është edhe norma më e lartë e interesit për kredi në këtë sektor.
Sipas rregullores për vendosjen e “Normës efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje për Institucionet mikrofinanciare” në vend, BQK-ja mund t’ju kërkojë atyre që t’i justifikojnë normat e interesit.
Por, në interesimin e Buletinit Ekonomik për të marrë një përgjigje zyrtare nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), se a janë të justifikueshme nga ta kamatat e larta në këtë sektor, dhe se a kanë kërkuar nga ndonjë institucion mikrofinanciar justifikim tarifash, apo nëse të njëjtit janë dakorduar me këtë nivel kamatash, nga BQK kanë zgjedhur të heshtin përkundër insistimeve të shumta.
Në nenin 1, pikën 3, të rregullores “PËR NORMËN EFEKTIVE TË INTERESIT DHE KËRKESAT PËR SHPALOSJE PËR INSTITUCIONET MIKROFINANCIARE”, thuhet shprehimisht:
“BQK kërkon që tarifat për produktet dhe shërbimet financiare të IMF-ve të jenë të lidhura direkt me koston e ofrimit të këtyre produkteve dhe shërbimeve, kështu që IMF-ve mund t’ju kërkohet nga BQK-ja të justifikojnë tarifat të cilat i vendosin. BQK pret që gjatë vendosjes së tarifave për produktet dhe shërbimet e tyre, IMF-të të ndikohen nga dëshira e vendosjes së tarifave sa më të favorshme dhe të përballueshme që është e mundur”.
Aktualisht, në Kosovë operojnë nëntë Institucione mikrofinanciare të licencuara nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Përgjatë një viti fiskal, këto institucione arrijnë të grumbullojnë deri në 15 milionë euro profit neto, të hyra këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit në kredi, e që zakonisht sillen mbi 19 për qind në përgjithësi.