Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, siç janë ato për tabelat, udhërrëfyesit të energjisë dhe themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Çështja e Asociacionit duhet të adresohet, sepse është pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, të cilat i ka nënshkruar Kosova”, tha Rohde.
Rohde ka potencuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgatiten për të marrë “vendime të vështira politike”, si dhe të kenë vullnet për t’u pajtuar për kompromise që sjellin rezultate të qëndrueshme dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Diplomati gjerman ka theksuar se “mungesa e përparimit deri tani është për keqardhje” pasi sipas tij, “duke vepruar në këtë mënyrë, të dyja palët, sipas këndvështrimit tim, veprojnë kundër interesave të veta, meqë të hezitosh të zbatosh atë për të cilën është arritur pajtim në Bruksel, sigurisht se nuk do ta sjellë asnjërën palë më afër BE-së.
Ai konsideron që përparimi urgjent tani është tejet i nevojshëm për të arritur synimin e Gjermanisë që për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi sa më i shpejtë në familjen euro-atlantike.
“Kështu, njohja e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë parakusht i nevojshëm për të dyja shtetet për t’iu bashkuar BE-së, pasi është e paimagjinueshme që në Union të kemi dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën. Këtë e bëri shumë të qartë Kancelari Scholz gjatë vizitës së tij në Prishtinë në qershor të këtij viti”.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se i është prezantuar “korniza e re” për dialog për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, Ap.
“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi zotërit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”, tha Kurti.Por, thotë se jo gjithçka që bisedohet “mund ta hedhim në opinion”.