Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është një prej kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve. Megjithatë edhe përkundër nënshkrimit të marrëveshjes dhe presionit ndërkombëtar Kosova ende s’ka bërë asnjë hapë që çon në krijimin e Asociacionit.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ka gjetur se disa pika të marrëveshjes janë anti-kushtetuese është kundër-argumenti kryesor sa herë që liderët e Kosovës pyetën për themelimin ose iu bëhet presion nga ndërkombëtarët.
Përveç kësaj, Asociacioni shihet edhe si rrezik për de-funksionalizimin e Kosovës si shtet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se krijimi i një trupe të tillë do të çonte në bosnjëzimin e Kosovës.
Megjithatë një këndvështrim interesant për punën e Asociacionit ka ardhur nga profesori, Robert Muharremi, i cili ishte angazhuar edhe në grupin e ekspertëve që do të mbështesnin delegacionin e Qeverisë Kurti në procesin e dialogut me Serbinë. Megjithatë Muharremi s’ka qëndruar gjatë në një angazhim të tillë.
Në një opinion të publikuar në “klan kosova”, Muharremi ka thënë se Asociacioni përveç që është një detyrim juridik dhe kushtetues, është politikisht i rëndësishëm për shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në të gjithë territorin.
“Themelimi i Asociacionit jo vetëm që është detyrim juridik ndërkombëtar i Republikës së Kosovës por ka qenë dhe mbetet politikisht i rëndësishëm për shtrirjen e sovranitetit dhe pushtetit qeveritar në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Muharremi.
Ai thotë se mospërmbushja e një obligimi të tillë që del nga marrëveshja e Brukselit, i jep palës serbe një arsyetim juridik për të sfiduar Kosovën në shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës.
“Mosrespektimi i këtij detyrimi i jep palës serbe pretekst juridik dhe politik për të sfiduar shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në komunat me shumicë serbe”, thekson ai.
Muharremi tutje potencon se Asociacioni sipas Marrëveshjes së Parë dhe në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese garanton që vperimi do të jetë në kuadër të kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe s’rrezikon krijimin e ndonjë forme tjetër që mund të cënojë funksionimin e shtetit të Kosovës.
“Themelimi i Asociacionit sipas Marrëveshjes së Parë dhe në pajtim me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese garanton që Asociacioni të veprojë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe nuk rrezikon krijimin e ndonjë forme tjetër të pushtetit që mund të cenojë funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sistemi juridik i Kosovës ofron mekanizma të mjaftueshëm që të sigurohet që Asociacioni të veprojë brenda ligjit dhe nën mbikëqyrjen administative dhe juridike të qeverisë”, përfundon Muharremi.