Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tek sot është munduar të qartësojë procesin dhe vonesat për remontin kapital të Bllokut A-5 të termocentralit “Kosova A” në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Madje, për vonesat e këtij procesi, ministrja Rizvanolli ka thënë se përgjegjësia bie mbi KEK-un.
Kontrata për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Bllokut A-5 të TC “Kosova A” është nënshkruar më 5 dhjetor të vitit 2022. Për më shumë se 6 muaj, Njësia A-5 është jashtë funksionit dhe KosovaPress ka mësuar se kompania e kontraktuar ka filluar aktivitetin riparues në këtë njësi.
Sipas ministres, edhe kontrata tjetër për remontin e kaldajës, pritet të nënshkruhet gjatë javës që vjen.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Rizvanolli, ka folur edhe për vlerësimin e përformancës së menaxhmentit të KEK-ut.
Rizvanolli: KEK-u mund të flasë për rrjedhën e procesit të riparimit në Njësinë A-5
“Në lidhje me KEK-un dhe Bllokun A-5, për këtë në verë të vitit të kaluar ka pasur një proces të prokurimit, i cili ka dështuar për arsye se asnjë kompani nuk ka aplikuar, pastaj është ri-shpallur tenderi dhe janë nënshkruar disa nga kontratat. Një kontratë tjetër, nëse nuk gaboj pritet të nënshkruhet gjatë javës që vjen. Arsyet për mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet, sigurisht që KEK-u mund të flasë. Ndërsa, sa i përket masave eventuale të vlerësimit të performancës së menaxhmentit, kjo është detyre e bordit të KEK-ut, që mund të kontaktoni për këtë çështje”, ka theksuar Rivanolli.
Në tri kërkesa prej muajt nëntor, KEK-u nuk është përgjigjur për KosovaPress lidhur procedurat e prokurimit për remontin kapital të Njësisë A-5. Për më shumë se 6 muaj, Njësia A-5 është jashtë funksionit.
Ndryshe, nga fillimi i vitit 2022, Kosova është përballur me krizë energjetike, ndërsa për vonesën e riparimit të Njësisë A-5, ka pasur kritika nga opozita, pasi që i njëjti do të ndihmonte në gjenerimin e sasisë më të madhe të energjisë elektrike në vend.