Procesi i Berlinit po kthehet sërish në Berlin që do të kryesohet nga Gjermania dhe do të organizohet nga kancelari Olaf Scholz.Lajmin e dha ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se nesër ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në Berlin për të diskutuar për disa tema.
“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e Brendshëm, të Jashtëm dhe të Energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për luftën ndaj krimit të organizuar, tregun e përbashkët rajonal dhe agjendën e gjelbër”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Ai tha se është thelbësore të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve.
“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë lidershipin për të nxitur anëtarësimin në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt!”, ka përfunduar Rohde.