Rezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” e votuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë e që është kundër raportit të ish-senatorit Dick Marty nuk do të prodhojë asnjë pasojë juridike në funksionimin dhe punën e Dhomave të Specializuara në Hagë. Njohësit juridikë në Prishtinë e vlerësojnë si hap pozitiv miratimin e kësaj rezolute nga ligjvënësit në Tiranë e për të cilën thonë se mund të kontestojë besueshmërinë e raportit të Martyt.
Më 125 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rezoluta që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të bëjë një rishikim të Rezolutës 1782, që shërbeu si pikënisje për ngritjen e Speciales. Të gjitha pretendimet e ngritura për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, rezoluta thotë se mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte, ndaj dhe duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Drejtori i organizatës “Çohu”, Artan Demhasaj vlerëson se tashmë beteja më e madhe është që një rezolutë me përmbajtjen e njëjtë si ajo e Kuvendit të Shqipërisë të miratohet edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Kjo rezolutë është në favor të kësaj për të dëshmuar se pretendimet që janë ngritur nga raporti i Dick Martyt nuk janë të vërteta. Mendoj që tash beteja duhet të zhvillohet nga kjo rezolutë edhe me kërkesën që një rezolutë e tillë të miratohet edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në njëfarë mënyre të kompensohet ai dëmi që u shkaktua me votimin e rezolutës s raportit të Dick Marty-t në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thotë ai.
Demhasaj konsideron se rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t e votuar nga Parlamenti shqiptar nuk ka asnjë ndikim në funksionimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, zhbërja e kësaj gjykate mund të bëhet vetëm nga Kuvendi i Kosovës, i cili edhe e ka themeluar këtë institucion. Megjithëse, zhbërja thotë se nuk është zgjidhje pasi ngritjes së aktakuzave.
“Gjykata Speciale është krijuar me një ligj të votuar në Kuvend të Kosovës dhe ai ligj ia ka dhënë kompetencat kësaj gjykate dhe nuk mundet të ketë kurrfarë ndikimi, krejt ndikimi i kësaj rezolute, apo rezolutës së mundshme që mund të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vetëm të rregullojë imazhin e Kosovës, Shqipërisë apo shqiptarëve në përgjithësi përmes pretendimeve monstruoze të raportit të Dick Martyt. Përndryshe, në aspektin e funksionimit të gjykatës apo aktakuzave absolut nuk ka asnjë ndërlidhje dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të ndikojë… vetëm Kuvendi (i Kosovës) është autoriteti që mundet ta zhbëjë, por unë mendoj që zhbërja nuk është zgjidhje për shkak se tashmë ka aktakuza të ngritura për disa krerë të UÇK-së dhe në rast se ka tendenca për t’u zhbërë Gjykata Speciale atëherë në njëfarë mënyre pretendimet e akuzës që janë në ato aktakuza mbesin si pezull, dhe kjo nuk e pastron luftën e UÇK-së”, vijoi ai.
Edhe Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-t nuk prodhon asnjë pasojë për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas saj, kjo rezolutë në aspektin politik dhe diplomatik mund të ndikojë në kontestimin e besueshmërisë së këtij raporti.
“E njëjta në aspektin politik dhe diplomatik mund të ndikojë në kontestimin e besueshmërisë së raportit të miratuar nga Asambleja e përgjithshme, por në aspektin juridik nuk prodhon asnjë pasojë. Republika e Kosovës ka marr përsipër obligime ndërkombëtare siç është themelimi i Gjykatës Speciale dhe për këtë ka bërë edhe amandamentimin e Kushtetutës si dhe ka miratuar ligj të veçantë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe rezoluta të tilla as nuk e zhbëjnë dhe as nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale… Kjo rezolutë absolutisht nuk ka asnjë ndikim sa i përket punës së Zyrës së Dhomave të Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe proceseve gjyqësore që po zhvillohen atje”, tha ajo.
E gjatë ditës së djeshme presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se ekziston një parim bazë juridik që një rezolutë apo akt politik ose juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato.
“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi (i Shqipërisë), natyrisht që rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo, po ashtu ekziston edhe një parim bazik juridik, që një akt, qoftë ajo rezoluta apo akt politik apo juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot që lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare UÇK-së s’mund të zhbëhet nga askush. Historinë s’mund ta ndryshojë askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal të udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit janë ende në Serbi për fat të keq, në kontekst të mentalitetit po flas”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, procedura për parashtrim të mocioneve në Asamblenë e Këshillit të Evropës parashihet sipas rregullit të 25-të. Ky rregull parasheh që një mocion për rekomandim apo rezolutë – me jo më shumë se 300 fjalë – duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përfaqësues apo zëvendësues, që u takojnë të paktën pesë delegacioneve kombëtare, apo duhet të miratohet me kuorumin e nevojshëm nga komisioni.
Propozuesit e rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë, 11 deputetë socialistë, deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011. Seanca e parlamentit ku u miratua kjo rezolutë u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës shqiptare rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës.