Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa prej komunave të vendit.
Ndër më të prekurat deri më tani janë: Skenderaj, Istogu, Peja, por edhe shumë vende të tjera.
E vërshime pati edhe në Drenas.
Nga Komuna e Drenasit është theksuar se në disa zona gjendja është përkeqësuar, transmeton lajmi.net.
“Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët, se pas të reshurave të vazhdueshme të shiut, disa rrugë, sidomos mbi ura dhe të rrethi në dalje të qytetit, janë bërë vështirë të kalueshme, ndaj kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë zonat ku ka rrezik qarkullimi”,thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se ekipet emergjente janë në teren dhe se po bëhet debllokimi i kanalizimeve, aty ku janë bllokuar.
“Ekipet Emergjente janë në terren dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë përmes kompanisë së kontraktuar, është duke bërë debllokimin e kanalizimeve, aty ku është bllokuar.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë dhe t’i shmangen rreziqeve në rrugët ku vërshimet janë me të dendura. Lladrovci ka kërkuar që qytetarët të kenë mirëkuptim e bashkëpunim, për të tejkaluar gjendjen e krijuar nga të reshurat e dendura të shiut”.