Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.
Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.
Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.
Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë:
– Mbledhja festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës (08:00)
– Ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës (08:20)
– Nderime të Monumenti i të Pagjeturve (08:30)
– Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (08:45)
– Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (08:50)
– Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” (Prekaz, ora 09:50)
– Interpretim i Filarmonisë së Kosovës (Kuvendi i Kosovës, ora 10:30)
– Seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Ora 11:00)
– Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë (Ora 11:20)
– Nderime te Monumenti “Heroinat” (Ora 11:30)
– Parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës (Prishtinë, ora 12:00)
– Ndezja e 1133 qirinjve para Teatrit Kombëtar në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 16:15)
– Pritja shtetërore nga Presidentja e Republikës së Kosovës (Ora 17:00)
– Koncerti i pavarësisë (Salla 1 Tetori, ora 20:15)
Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova (Velani, ora 09:15)
– Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve
– Seanca solemne e Kuvendit të Kryeqytetit (Kuvendi i Prishtinës, ora 10:00)
Komuna e Prizrenit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Landovicë, ora 9:30)
– Pritja ceremoniale e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj (Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prizrenit (Shtëpia e Bardhë, ora 11:00)
– Koncert me SHKA-të (Sheshi në Shatërvan, ora 13:00)
– Interpretimi “Lahuta e Malcisë” Vlora Nikçi (Abi Çarshia, ora 16:00)
– Koncert me rok grupe muzikore nga Prizreni (Sheshi në Shatërvan)
Komuna e Gjakovës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe pranë lapidarit “Shokët e lirisë” (Qendra e qytetit, ora 10:00)
– Këshilli Veprimit Rinor Lokal shfaq dokumentar dhe një koncert akustik (Zyrat e KVRL, ora 11:00)
Komuna e Podujevës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Mbahen homazhe (Ora 09:30)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Podujevës, ora 10:30)
Komuna e Rahovecit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Pritja e mysafirëve nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi(Komuna e Rahovec, ora 09:00)
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Ora 10:00)
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal të Rahovecit (Kuvendi Komunal Rahovec, ora 11:00)
– Pjesëmarrja e 35 nxënësve në ceremoninë e ndezjes së qirinjve në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 14:00)
Komuna e Ferizajt shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Ora 10:00)
– Akademi solemne dhe koncert festiv (Teatër, ora 11:00)
– Galeria e Arteve dhe SHAF “Zef Kolombi” hapin ekspozitë kolektive (Galeria e Arteve, ora 18:00)
Komuna e Deçanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal Deçan, ora 10:00)
– Homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan (Ora 11:00)
– Përurimi i Muzeut Etnologjik në Deçan (Kulla e Zymer Himës, ora 11:30)
Komuna e Gjilanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal Gjilan, ora 10:00)
– Homazhe në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve (10:00)
– Koncert për fëmijë nga kolegji “Don Bosko” dhe “Dancing House” (Teatri i qytetit, ora 11:00)
– Koncert festiv nga SHKA “Qypërlinjtë e Roshnikut” nga Berati (Teatri i qytetit, ora 17:00)
Komuna e Pejës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Ceremonia solemne e nënshkrimi të marrëveshjes së binjakëzimit të Pejës me qytetin Eger të Hungarisë (Kuvendi Komunal, ora 09:00)
– Mbledhja solemne e Asamblesë Komunale (Ora 10:00)
– Ceremonia e ngritjes së flamurit në qendër të qytetit shoqëruar me spektakël “Paraglide” dhe homazhe tek lapidarët e dëshmorëve të kombit (Ora 11:00)
– Manifestimi qendror në Galerinë e Arteve (Ora 12:00)
– Vizitë shtegut Kulturor dhe monumenteve të trashëgimisë së Pejës (Ora 13:00)
Komuna e Vitisë shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Vitisë , ora 09:30)
– Bëhen homazhe pranë varrezave të dëshmorëve (Ora 10:00)
– Mbahet koncert festiv (Salla e koncerteve, ora 11:00)
Komuna e Mitrovicës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Mitrovicës, ora 10:00)
– Homazhe në varrezat e dëshmorëve (Shipol), si dhe vizitë Kompleksit Përkujtimor në Prekaz dhe Kullës së Isa Boletinit në Boletin (Ora 11:00)
– Program artistik (Sheshi “Isa Boletini”, ora 12:00)
– Koncert i rok-grupit “Elita 5” (Sheshi “Isa Boletini”, 14:00)
– Ekspozitë, shpallja e fituesit të çmimit “Kadri Kadriu” (Qendra e kulturës “Rexhep Mitrovica, ora 17:00)
Komuna e Kamenicës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Seanca solemne e Kuvendit Komunal (Kuvendi Komunal i Kamenicës, ora 09:30)
– Homazhe tek varrezat e dëshmorëve (Ora 09:50)
– Ndezja e 1133 qirinjve para në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Ora 16:15)
– Fenerët e Pavarësisë – Ndezja e 15 fenerëve nga të rinjtë e KVRL (Bulevardi i qytetit, ora 20:00)
Komuna e Vushtrrisë shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Bëhen homazhe për dëshmorët e kombit (Ora 09:00)
– Akademi solemne për Ditën e Pavarësisë (Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina”, ora 13:00)
Komuna e Lipjanit shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Bëhen homazhe në nderim të dëshmorëve (Sheshi “Adem Jashari”, ora 10:00)
– Fëmijët parakalojnë në sheshin “Adem Jashari” (Ora 10:30)
Komuna e Malishevës shënon Ditën e Pavarësisë sipas kësaj agjende:
– Mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës (Kuvendi Komunal Malishevë, ora 10:00)
– Nderime para shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari (Ora 11:00)
Aktivitete të tjera me rastin e Ditës së Pavarësisë:
Me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, NISMA Socialdemokrate mban tubim festiv “Festojmë me Ju!” (Sheshi “Skënderbeu”, ora 14:30)
Përfaqësuesit e PSHDK bëjnë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” (Prekaz, ora 10:00)
Përfaqësuesit e PSHDK bëjnë homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Velani, ora 11:00)