Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti në Komisionin për Mbikqyrje të Financave Publike ka folur për krijimin e një komisioni për identifikimin e pronave të Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se do ketë kompensim në rast se marrin persona jashtë stafit të UP-së për të kryer këtë punë.
“Komisioni për identifikim të pronave është formuar nga unë në vitin 2020, qëllimi ka qenë adresimi i gjetjes së auditorit për pronat. Deri tani është punuar në baza vullnetare. Për ta kry punën në formë profesionale kemi dy mundësi me kompani nga jashtë ose me staf të brendshëm. Rreth 10 mijë euro parashihen për personat që do dalin në teren për matje e të tilla. Ende nuk kemi marr një vendim të tillë. Por do vendosim për muajt në vijim”, ka thënë ai.
Sahiti ka folur edhe një herë për padinë ndaj kishës ortodokse serbe për kthimin e asaj toke në pronësi të Universitetit. Tha se për kishën ortodokse në hapësirën e oborrit të UP-së, janë në kontakt që avokati shtetëror të marrë përsipër rastin.
Ai ka thënë se që nga marrja e mandatit si udhëheqës i UP-së, Sahiti u shpreh se e kanë marrë me shumë seriozitet këtë çështje dhe se nuk është në dijeni përse nuk po mbahet seanca gjyqësore.
“Te problemi me kishën ortodokse serbe, është një çështje e trashëguar më shumë se një dekadë mospjesëmarrja në seancë ajo është e shënuar si e tillë. Nuk e di pse s’kanë marr pjesë në seancë. Tash kur jam duke e udhëheq, jemi duke e trajtuar me prioritet këtë çështje. Një seancë ka qenë, ne jemi duke u koordinuar edhe me komunën e Prishtinës, pasi që zyrtarisht ata janë titullar të asaj prone, që ta gjejmë mënyrën që ajo hapësirë të jetë e dedikuar për studentë për çka ka qenë dikur”, tha ai.
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u shqyrtua raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, Sahiti ka thënë se në këtë raport vërehet se 50 për qind e gjetjeve janë më pak se vitin e kaluar.
“Çështja e raportit të auditimit është një çështje e rëndësishme për UP. Aty prezantohen progresi ose mangësitë. Është e vërtetë qe nëse kanë qenë të kualifikuara ose pakualifikuara del ajo që tha raportuesja. Këtë vit është i kualifikuar por 50 për qind më pak gjetje se vitin e kaluar, ne nuk jemi të kënaqur. Edhe ato gjetjet tjera të përsëritura të mos ekzistonin”, tha ai.
Kurse, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kërkuar që për këtë rast të jetë një komision që përfshin edhe institucione tjera, pasi siç u shpreh ajo, UP nuk është titullare e gjithë pronave ku ka objekte.
“Komisioni është për çështje pronësore për zgjidhje të problemeve. Duhet një komision ndër-institucional pasi përfshihen edhe komuna e AKP-ja në prona. Rasti i padisë për kishën është çështje e ndjeshme po ashtu”, ka thënë Bajrami.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka shqyrtuar raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës.