Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me ngjarjen në uzinën e armëve në Gramsh.
Begaj thotë se inkurajon zbardhet e kësaj ngjarje dhe secilën që cenon sigurinë kombëtare.
“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me vëmendje. Në komunikim të vazhdueshëm me SHPFA, strukturat e shërbimeve informative & ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj & mbështes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cenon sigurinë kombëtare”, thuhet në reagimin e Begajt, përcjell Telegrafi.
2/2 Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë! 🇦🇱
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) August 21, 2022
Ai po ashtu iu uron ushtarëve të sulmuar shërim të shpejtë.
“Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë”, shton ai.
Rreth orës 17:40 të së shtunës, roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.
Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.
Svetlana Timofoeva 33-vjeç dhe Mikhail Zorin 24-vjeç, te dy shtetas ruse si dhe F. A. 25-vjeç shtetas ukrainas u ndaluan pasditen e 20 gushtit 2022 ndërsa dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me sprej neuroparalizues në Uzinën Ushtarake të Gramshit.