Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se me shqetësim ka përcjellë situatën e krijuar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e vlerës së koeficientit për vetëm 105 euro për punëtorët e sektorit publik.
LDK thotë se në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale të viteve të fundit partia në pushtet ka thyer premtimin e tyre për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm pas rritjes së kostos së jetesës.
Sipas kësaj partie, koeficienti është dashur të jetë 125 euro “për të bërë një ndryshim të vërtetë për ata që kanë nevojë më shumë për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës”.
“Koeficienti i ri prej 105 euro do të thotë se Qeveria ka vendosur të ulë pagat për mijëra punëtorë në gjithë Kosovën dhe s’i rritë mjaftueshëm për shumë të tjerë. Mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, policët, ushtarët, nëpunësit civilë – këto janë profesionet që janë themeli i shoqërisë sonë dhe kanë sakrifikuar më së shumti në kohët më të vështira për vendin tonë. Koeficienti i Qeverisë është një goditje e madhe për njerëzit e zakonshëm që përpiqen të përballojnë jetesën gjatë një krize të paprecedentë të kostos së jetesës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
“Ky vendim i Qeverisë tregon se ata nuk i kuptojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm në mbarë vendin duke u përpjekur të kalojnë kushtet e vështira ekonomike. Kjo tregon edhe një herë se sa larg realitetit është Qeveria”.
LDK thotë se menjëherë do të dërgojë dhe amendament në Kuvendin e Kosovës dhe se do të punojë në vazhdimësi për mbrojtjen e punëtorëve dhe familjeve “duke argumentuar domosdoshmërinë e një koeficienti më të lartë dhe pagave më të drejta për të përballuar këtë krizë”.
“Kosova meriton më mirë, Kosova mund të bëjë më shumë”.