Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e së shtunës në Pejë. Kjo ka bërë që ndaj këtij akti të reagojnë bartës të institucioneve qendrore dhe krerë të partive politike.
Nga Prokuroria e Pejës thanë se dy personat e dyshuar janë arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe prokurori i çështjes ua ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kërveshi, tha përmes një postimi në Facebook se kryetari i Pejës beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare, duke shtuar se ai tashmë ka dhënë deklaratë në polici për këtë rast.
Muhaxheri disa orë pas sulmit ka reaguar duke thënë se sulmi ishte i befasishëm, por që është shëndosh e mire.
Pas kësaj ngjarje të rëndë pati reagime të ashpra si nga opozita ashtu edhe nga opozita.
Fillimisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë.
“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, u tha në reagimin e LDK-së.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Muhaxherin “as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë”, duke kërkuar që organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta për të mbajtur përgjegjës të dyshuarit.
Presidentja Vjosa Osmani duke dënuar fuqimisht sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se përgjegjësit për këtë akt duhet të përgjigjen para drejtësisë.
“Ky është sulm jo vetëm ndaj institucionit të kryetarit, por edhe ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe shtetit ligjor”, ka deklaruar Osmani.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka quajtur akt të papranueshëm një sulm të tillë.
Ai ka thënë se “dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj”.
“Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar tutje kryeparlamentari.
Edhe ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj kryetarit të Pejës.
“Sulmi ndaj Kryetarit Gazmend Muhaxheri, është akt i ulët dhe i papranueshëm. Drejtësia, duhet të vihet sa më shpejt në vend dhe veprime të tilla nuk duhet të tolerohen”, tha Krasniqi.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e cilësoi si qyqar dhe skajshmërisht të dënueshëm sulmin ndaj kryetarit të Pejës.
“Qyqar e skajshmërisht i dënueshëm sulmi fizik mbi kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin! Drejtësia, pas arrestimit të sulmuesve, të zbardh motivet e këtij sulmi dhe të jetë e pakompromis në ndëshkimin e tyre! Dhuna të goditet në kokë e dhunuesit të rrinë prapa hekurave. Lehtësues lajmi që Kryetari Muhaxheri është mirë me shëndet!”, ka shkruar Haradinaj.
Rastin e ka dënuar edhe kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.
Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet, normalitet dhe bashkëpunim.
“Sulmi fizik ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, është një akt i ulët dhe i papranueshëm, i cili duhet të adresohet dhe të dënohet sa më shpejt nga institucionet e rendit dhe ligjit. Kosova ka nevojë për stabilitet, normalitet dhe bashkëpunim”, ka shkruar Hamza në Facabok.